Mickoski: Anëtarësimi në BE duhet të bazohet në merita, por për Maqedoninë nuk është kështu

Advertisement

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian duhet të bazohet në merita, por sipas tij, në rastin e Maqedonisë së Veriut kjo nuk po ndodh.

Në një intervistë për Këshillin Atlantik, Mickoski tha se vendi po përballet me çështje bilaterale që, sipas tij, po e pengojnë avancimin drejt BE-së, pavarësisht përmbushjes së detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit.

“Fatkeqësisht, ne përmbushim gjithçka kur bëhet fjalë për qasjen e bazuar në merita, por më pas gjithmonë përballemi me pengesa të imponuara artificialisht”, tha Mickoski, duke përmendur edhe ndryshimin e emrit kushtetues dhe kërkesën për ndryshime të mëtejshme në Kushtetutë.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut e ka nisur procesin e integrimit evropian shumë vite më parë dhe, bashkë me Kroacinë, kishte marrë statusin e vendit kandidat dhe raportin e parë pozitiv të Komisionit Evropian për fillimin e negociatave.

Mickoski kritikoi edhe qeverinë e mëparshme, duke pretenduar se ajo kishte pranuar ndryshime kushtetuese pa pasur shumicën prej dy të tretash në Kuvend. Ai tha se kjo e ka vendosur vendin në një situatë të vështirë sa i përket procesit të anëtarësimit në BE.

Duke folur për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, Mickoski tha se nuk e sheh këtë kërkesë si pjesë të një procesi të bazuar në merita. Ai iu referua gjithashtu vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me komunitetin maqedonas në Bullgari dhe komunitetin bullgar në Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri përsëriti propozimin e qeverisë që ndryshimet kushtetuese të miratohen në Kuvend, por të hyjnë në fuqi vetëm pasi të përfundojnë negociatat me BE-në dhe pasi të ratifikohet protokolli i anëtarësimit nga parlamentet e vendeve anëtare.

“Ky është një garanci se nuk do të ketë pengesa shtesë dhe se kjo është e fundit”, tha Mickoski.

Ai theksoi se qeveria do të vazhdojë të punojë për zhvillimin ekonomik dhe reformat, duke përmendur rritjen e PBB-së prej 4.3 për qind në tremujorin e dytë dhe përpjekjet për tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e industrive të teknologjisë së lartë.

Mickoski tha gjithashtu se Maqedonia e Veriut po diskuton për këtë çështje me partnerët e saj strategjikë, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

“Do të vazhdojmë të kërkojmë zgjidhje dhe të shpjegojmë qëndrimin tonë para botës”, deklaroi kryeministri.

Mickoski ndodhet në SHBA me një delegacion qeveritar, ku pritet të zhvillojë takime në Senat, Kongres dhe Departamentin e Shtetit, si dhe me përfaqësues të institucioneve financiare dhe organizatave të ndryshme. Ai pritet të marrë pjesë edhe në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit