Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka uruar Albin Kurtin për rizgjedhjen në postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi, Mexhiti ka vlerësuar se në periudhën e ardhshme Maqedonia e Veriut dhe Kosova do ta vazhdojnë bashkëpunimin dypalësh, duke veçuar projektet e përbashkëta infrastrukturore dhe synimin për ndërtimin e një të ardhmeje evropiane për rajonin.
Sipas Mexhitit, institucionet stabile, të ndërtuara mbi vullnetin e qytetarëve, janë garancia më e mirë për një qeverisje të përgjegjshme dhe të vendosur.
Në postimin e tij, ai është shprehur gjithashtu në mbështetje të Kosovës në këtë periudhë, duke theksuar luftën çlirimtare dhe sakrificat mbi të cilat, sipas tij, janë ngritur themelet e Republikës së pavarur të Kosovës.
Mexhiti ka kritikuar edhe përdorimin e ligjit për vendime që i cilëson si kundërthënëse, duke theksuar se, sipas tij, asnjë vendim i politizuar nuk mund ta ndryshojë të vërtetën historike dhe asnjë akt juridik nuk mund ta zhbëjë atë që një popull e ka fituar përmes sakrificës.






