Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka deklaruar se projekti pranë Saat Kullës ka përfshirë rindërtimin e plotë të infrastrukturës, dhe jo vetëm asfaltimin e rrugëve.
Sipas Mexhitit, në zonë janë vendosur 1,400 metra rrjet i ri i ujësjellësit, janë lidhur të gjitha shtëpitë dhe janë vendosur hidrantë nëntokësorë në çdo rrugë.
Gjithashtu është ndërtuar kanalizim i ri fekal dhe atmosferik, me gryka të reja për mbledhjen dhe largimin e ujërave.
Në fazën përfundimtare është hequr asfalti i vjetër dhe janë asfaltuar të gjitha rrugët e zonës.
“Jo arnime dhe ndërhyrje sipërfaqësore. Por ujësjellës i ri, kanalizim i ri, drenazhim i ri dhe asfalt i ri”, tha Mexhiti.
Ai shtoi se ky është vetëm një nga projektet që po realizohen në Çair, duke paralajmëruar vazhdimin e punëve për përmirësimin e infrastrukturës në komunë.






