Ministrat e energjisë të Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë do të takohen javën e ardhshme në Serbi në samitin e dytë ministror, ku në qendër të diskutimeve do të jenë projektet rajonale energjetike, siguria e furnizimit dhe përshpejtimi i investimeve infrastrukturore.
Sipas Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM), takimi është vazhdim i samitit të parë të mbajtur në Athinë më 15 maj, ku u vlerësua se siguria energjetike dhe qëndrueshmëria e sistemeve nuk mund të trajtohen vetëm si çështje kombëtare, por si prioritete të përbashkëta rajonale.
Për Maqedoninë e Veriut, ndër projektet më të rëndësishme mbeten interkonektorët e gazit me Greqinë dhe Serbinë. Interkonektori me Greqinë, me kapacitet fillestar prej 1,5 miliardë metrash kub gaz në vit, pritet të përfundojë në vitin 2027 dhe do të mundësojë qasje në burime të ndryshme furnizimi, përfshirë edhe terminalet LNG.
Ndërkohë, në shtator është nënshkruar kontrata për projektimin dhe ndërtimin e pjesës së interkonektorit me Serbinë në territorin e Maqedonisë, me vlerë prej 29,4 milionë eurosh. Segmenti do të ketë gjatësi prej 22,4 kilometrash dhe kapacitet prej 1,4 miliardë metrash kub gaz në vit.
MEMBM vlerëson se me realizimin e këtyre projekteve, Maqedonia dhe Serbia do të shndërrohen në një korridor të rëndësishëm tranziti për gazin natyror në rajon, duke forcuar sigurinë energjetike dhe duke krijuar mundësi të reja ekonomike.
Një hap tjetër i rëndësishëm është edhe bashkimi i Maqedonisë dhe Serbisë me Korridorin Vertikal të Gazit, iniciativë rajonale që lidh Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Sllovakinë, Ukrainën dhe Moldavinë, me synim rritjen e flukseve ndërkufitare të gazit dhe shfrytëzimin më efikas të infrastrukturës ekzistuese.
Në samitin e ardhshëm do të diskutohet gjithashtu për sigurinë e furnizimit me energji elektrike, modernizimin e rrjeteve, zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme dhe sistemeve për magazinimin e energjisë, si dhe integrimin më të madh të tregjeve rajonale të energjisë elektrike.
Sipas Ministrisë, koordinimi rajonal është kyç për realizimin e projekteve strategjike dhe për forcimin e sigurisë energjetike në Evropën Juglindore.






