Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me Kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, dhe Julia Ciborowski, mbesën e urbanistit të njohur polak Adolf Ciborowski, zbuluan sot në Çarshinë e Vjetër pllakën përkujtimore kushtuar Ciborowskit, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në rindërtimin e Shkupit pas tërmetit katastrofik të vitit 1963 dhe për angazhimin e tij në ruajtjen e trashëgimisë historike të qytetit.
Në fjalën e tij, Kryetari Mexhiti theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe vlerësimit të personaliteteve që kanë lënë gjurmë të përhershme në zhvillimin e Shkupit.
“Adolf Ciborowski ishte një prej njerëzve që kuptoi se një qytet nuk ndërtohet vetëm duke krijuar të renë, por edhe duke ruajtur atë që e bën të veçantë. Kontributi i tij në ruajtjen e Çarshisë së Vjetër mbetet pjesë e historisë së Shkupit, ndërsa kjo pllakë përkujtimore është shprehje e mirënjohjes sonë për vizionin dhe përkushtimin e tij,” deklaroi Mexhiti.
Gjatë ngjarjes u vlerësua roli i solidaritetit ndërkombëtar në rindërtimin e Shkupit pas tërmetit të vitit 1963, si dhe rëndësia e ruajtjes së trashëgimisë historike e kulturore si pjesë e identitetit të qytetit dhe e kujtesës kolektive.






