Mbyllet paralelja shqipe në klasën e parë në shkollën “Penko” në Butel

Advertisement

Në shkollën fillore “Petar Zdravkovski-Penko” në Komunën e Butelit është mbyllur një paralele me mësim në gjuhën shqipe për klasën e parë, me arsyetimin se nuk ka pasur numër të mjaftueshëm nxënësish për regjistrim.

Sipas Alsat, edhe përkundër interesimit për regjistrimin e nxënësve shqiptarë, drejtoria e shkollës ka vendosur që këtë vit shkollor të mos pranojë fëmijë shqiptarë që jetojnë në rrugët pranë kufirit të Komunës së Butelit, por që sipas adresave zyrtare i përkasin Komunës së Çairit.

Mbyllja e paraleles me mësim në gjuhën shqipe ka shkaktuar reagime dhe pakënaqësi te mësimdhënësit, të cilët kanë kundërshtuar vendimin.

Drejtoresha e shkollës, Mevlide Kryeziu, e ka konfirmuar riorganizimin e një prej paraleleve të klasës së parë, duke e arsyetuar me numrin e pamjaftueshëm të nxënësve që i përkasin territorit të Komunës së Butelit dhe zonës së shkollës.

“Për shkak të numrit të pamjaftueshëm të nxënësve që i përkasin territorit të Komunës së Butelit dhe zonës së shkollës sonë, jemi detyruar të bëjmë riorganizimin e një prej paraleleve të klasës së parë. Ky vendim është marrë në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për organizimin e procesit mësimor dhe kalimin e shkollës në mësim në një ndërrim”, deklaroi Kryeziu.

Ajo theksoi se ky riorganizim nuk nënkupton mbylljen përfundimtare të mundësisë për hapjen e paraleleve të reja.

Ndërkohë, sipas raportimit, mbetet e paqartë pse është mbyllur pikërisht paralelja me mësim në gjuhën shqipe, ndërsa në shkollë vazhdojnë të funksionojnë paralele në gjuhën maqedonase në klasat e dyta dhe të treta edhe me numër të ulët nxënësish.

Në të njëjtën kohë, klasat me mësim në gjuhën shqipe kanë numër dukshëm më të madh nxënësish, madje deri në 30 nxënës në një klasë.

Vendimi vjen në kohën kur numri i nxënësve shqiptarë në Komunën e Butelit është në rritje. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës për vitin shkollor 2024/2025, në këtë komunë kanë qenë gjithsej 5.276 nxënës.

Prej tyre, 2.971 kanë qenë shqiptarë, 1.741 maqedonas, 230 turq, 165 boshnjakë, 100 romë dhe 18 serbë, ndërsa pjesa tjetër i përket komuniteteve të tjera.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit