Është nënshkruar Marrëveshja për projektimin dhe ndërtimin e interkonektorit të gazit Maqedoni e Veriut–Serbi, mes drejtorit të SHA NOMAGAS, Nedim Rama, dhe kompanisë ndërtuese “Rapid Bild”, të përfaqësuar nga Toni Karanfillovski.
Sipas marrëveshjes, pjesa e interkonektorit që do të ndërtohet në territorin e vendit do të jetë e gjatë 22,4 kilometra, ndërsa përfundimi i plotë i projektit është planifikuar deri në fund të vitit 2028. Vlera e investimit është 29,4 milionë euro.
Drejtori i NOMAGAS, Nedim Rama, tha se kompania vendase “Rapid Bild” është përzgjedhur pasi ka ofruar ofertën më të favorshme.
“Pjesa jonë e interkonektorit do të jetë me gjatësi prej 22,4 kilometra dhe me diametër 500 milimetra. Pika fillestare do të jetë pranë bllok-stacionit ‘Kleçevc’, ndërsa pika përfundimtare do të jetë në kufirin me Serbinë, pranë fshatit Sopot”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se në kuadër të projektit do të ndërtohen edhe pesë objekte shoqëruese, përfshirë stacionin kryesor matës, stacionin reduktues, një bllok-stacion dhe dy stacione pranuese e dërguese për pastrimin e tubacionit.
Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se ndërtimi i interkonektorëve me Greqinë dhe Serbinë do t’i sigurojë vendit një lidhje të plotë vertikale energjetike dhe do ta forcojë pozitën e tij strategjike.
“Pas përfundimit të interkonektorit me Greqinë dhe atij me Serbinë, do të kemi një lidhje plotësisht vertikale që është pjesë e Korridorit 10, ndërsa pozicioni gjeostrategjik i vendit do të bëhet dukshëm më i rëndësishëm”, tha Mickoski.
Sipas të dhënave të prezantuara, kapaciteti teknik i parashikuar i interkonektorit është deri në 160 mijë metra kub gaz në orë.






