Futja e bullgarëve në Kushtetutë është një nga kushtet që Maqedonia e Veriut duhet ta përmbushë për të vijuar procesin e eurointegrimeve, deklaroi komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, në një intervistë për televizionin bullgar “BNT”.
E pyetur nëse Komisioni Evropian mund të ndikojë ndaj Shkupit për realizimin e ndryshimeve kushtetuese, Kos tha se beson se bashkëpunimi me qeverinë e re bullgare mund të ndihmojë në avancimin e procesit.
“Qeveria në Maqedoninë e Veriut duhet ta mbajë premtimin e saj. Ata duhet ta ndryshojnë Kushtetutën e tyre, kjo është e dakorduar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe 27 vendeve anëtare të BE-së”, deklaroi Kos.
Ajo shtoi se pas realizimit të ndryshimeve kushtetuese pret mbështetje edhe nga Bullgaria për vazhdimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Kos theksoi gjithashtu se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet prioritet dhe se vjeshta pritet të jetë periudhë e rëndësishme për vendet kandidate.
Sipas saj, Komisioni Evropian po përgatit udhërrëfyes për vendet që kanë avancuar më shumë në negociata, ndërsa paralelisht po punohet edhe për përgatitjen e vendeve anëtare për një zgjerim të ri të BE-së.






