8.8 C
Skopje
Monday, December 2, 2024

Macron propozon koalicionin kundër grupeve terroriste

Kreu i Elizesë bëri thirrje që Hezbollahu dhe Irani të mos përfshihen në luftë pasi pasojat do të jenë të paimagjinueshme

Presidenti francez Emmanuel Macron është lideri i rradhës që vizitoi Izraelin teksa konflikti izraelito-palestinez rrezikon të përhapet në të gjithë rajonin.

Kreu i Elizesë u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Jerusalem dhe bëri thirrje për një rinisje vendimtare të procesit të paqes ndërsa propozoi një koalicion rajonal dhe ndërkombëtar për të luftuar kundër grupeve terroriste.

“Unë propozoj që koalicioni kundër Shtetit Islamik të luftojë edhe me Hamasin. Hamasi është një grup terrorist, objektivi i të cilit është shkatërrimi i shtetit të Izraelit. Prioriteti juaj, por edhe i të gjitha demokracive dhe i Francës është të mposhtim këto grupe terroriste. Megjithatë edhe pse lufta duket e pamëshirshme, ajo duhet t’i përmbahet rregullave, sepse ne jemi demokraci që luftojmë kundër terroristëve që i respektojmë ligjet e luftës dhe sigurojmë akses humanitar.”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ripërsëriti edhe njëherë qendrimin e tij për të shkatërruar Hamasin duke e cilësuar luftën e vendit të tij një provë për Perëndimin dhe qytetërimin.

“Sprova për Perëndimin dhe për qytetërimin është Hamasi. Nëse Hamasi del fitimtar, në të gjithë do të humbasim. Evropa do të rrezikohet. Të gjithë do të rrezikohen. Qytetërimi do të rrezikohet. Nëse Hezbollahu bën gabimin që t’i bashkohet kësaj lufte, do të pendohet. Ne do duhet të marrim masa kundër tyre dhe shkatërrimi kundër Hezbollahut do të jetë i paimagjinueshëm.”

Më herët presidenti francez me të mbërritur në Izrael zhvilloi gjithashtu takim me familjarët të cilët ende janë në kërkim të të dashurëve që janë marrë peng nga militantët e Hamasit. Macron u shpreh se objektivi i parë në luftë duhet të jetë sigurimi i lirimit të të gjithë pengjeve. Tridhjetë qytetarë francezë u vranë në sulm dhe nëntë janë ende të zhdukur.

Ai u takua edhe me presidentin izraelit Isaac Herzog, duke shtuar se detyra e Izraelit ishte të luftojë kundër Hamasit, por pa e zgjeruar më gjerë konfliktin si dhe një zgjidhje me dy shtete mes Izraelit dhe Palestinës.

Herzog falenderoi Macron për vizitën, ndërsa shprehu shqetësimin për rritjen e fundit të akteve antisemitike në mbarë botën. Vizita e Macron vjen pasi ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian bënë thirrje për një pauzë humanitare për të lejuar më shumë ndihmë për civilët.

Klan News

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit