Komuna e Tetovës, Vinicës dhe Zhelinës janë tri vetëqeverisje lokale që me kërkesën e tyre dhe me përkrahjen e pushtetit qendror do t’i shlyejnë detyrimet e tyre të maturuara dhe në këtë mënyrë do t’i përforcojnë kapacitetet e tyre financiare. Ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe kryetarët e komunave – Bilal Kasami, Mile Petkov dhe Blerim Sejdiu nënshkruan sot marrëveshjen për shfrytëzimin e fletobligacioneve strukturore të emetuara nga Ministria e Financave për këto tri komuna.
Fletobligacioni strukturor është instrument i ri financiar, i cili u vendos me Ligjin e Financimit të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale dhe u jepet mundësia komunave që t’i shfrytëzojnë ato për shlyerjen e detyrimeve të maturuara dhe të papaguara. Ato emetohen për 10 vjet dhe me anë të tyre mundësohet riprogramimi i detyrimeve, por edhe mundësia e konsolidimit të buxheteve, si dhe mundësia për t’u fokusuar në zhvillimin e tyre. Vlera për fletobligacionet e emetuara do të kthehet në këste të barabarta 10 vjeçare.
“Këto janë fletobligacionet e para strukturore të emetuara nga Ministria e Financave, në përputhje me Ligjin e ri reformues për Financimin e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat ofrojnë më shumë mjete për pushtetet lokale, me qëllim të stabilitetit të tyre financiar dhe ofrimit të shërbimeve cilësore.
Komuna e Tetovës, Vinicës dhe Zhelinës janë vetëqeverisje lokale që e shfrytëzuan këtë mundësi të njëhershme nga ligji në fjalë dhe parashtruan kërkesë brenda afatit të përcaktuar ligjor për emetimin e fletobligacionit strukturor dhe në këtë mënyrë siguruan mjete për pagesën e detyrimeve për përkushtimin e tyre drejt zhvillimit të tyre”, theksoi ministri Besimi.
Ministria e Financave emetoi fletobligacione strukturore në vlerë të përgjithshme prej 275 milionë denarëve, prej të cilave 250.2 milionë denarë për Komunën e Tetovës, 21.7 milionë denarë për Komunën e Zhelinës dhe 2.5 milionë denarë për Komunën e Vinicës. Me nënshkrimin e marrëveshjeve, komunat mund t’i shfrytëzojnë fletobligacionet e emetuara për pagesën e detyrimeve të tyre ndaj kreditorëve, të cilët mund t’i shfrytëzojnë fletobligacionet e emetuara për shlyerjen e detyrimeve ndaj Drejtorisë së të Ardhurave Publike ose për të tregtuar me ato në tregun sekondar të Bursës.
Ato paraqesin një nga instrumentet që janë në dispozicion të komunave. Përkatësisht, për përforcimin e stabilitetit të tyre financiar, komunat mund të shfrytëzojnë edhe kredi të kushtëzuar nga Ministria e Financave dhe fletobligacione komunale për blerës të njohur – Ministria e Financave. Gjithashtu, me ndryshimet në Ligjin e Financimit të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale u siguruan më shumë mjete duke rritur transfertat nga buxheti qendror për komunat në bazë të tatimit mbi të ardhurat personale nga 3% në 6% dhe në bazë të TVSH-së nga 4.5% në 6%.