Shkup, 29.04.2026 — Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Ane Lashkoska, mbajti një fjalim hyrës në Forumin Rajonal të Menaxhimit të Mbeturinave – “Së bashku për një Rajon pa Mbeturina: Drejt një Sistemi Rajonal Funksional dhe të Qëndrueshëm”, që u mbajt sot në Shkup.
Forumi i kushtohet përmirësimit të sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave në rajonet e Pellagonisë dhe Jugperëndimit dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi modern, funksional dhe të qëndrueshëm që do të ofrojë shërbime më cilësore për qytetarët dhe një nivel më të lartë të mbrojtjes së mjedisit.
Ngjarjen e hapi E.T. Ambasadori i Mbretërisë së Suedisë, Ola Solstrom, gjithashtu fjalime hyrëse mbajtën dhe Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski, Drejtori Ekzekutiv i “BNJVL” Dushica Perishiq dhe Drejtori i “SALAR International” Rajn Noks.
Në fjalimin e saj, Lashkoska theksoi se plani rajonal i menaxhimit të mbeturinave nuk është vetëm një detyrim administrativ, por një mjet thelbësor për zgjidhjen e një prej sfidave më të mëdha me të cilat përballen komunat – deponitë ilegale, infrastruktura e pamjaftueshme dhe kapacitetet e kufizuara për menaxhimin efikas të mbeturinave.
“Duke vepruar së bashku, mund të ndërtojmë një sistem modern dhe të qëndrueshëm që do të ofrojë shërbim më të mirë për qytetarët, mbrojtje të mjedisit dhe përdorim më efikas të burimeve financiare. Ky projekt nuk është vetëm një investim në infrastrukturë, por një investim në të ardhmen e komunave tona”, theksoi Lashkoska.
Ajo potencoi se burimet financiare janë siguruar përmes një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si dhe granteve të konsiderueshme nga Suedia dhe Zvicra, ndërsa pajisjet dhe makineritë e nevojshme janë vënë tashmë në dispozicion në terren.
“Kushtet për realizim janë vendosur – tani faktori kyç është angazhimi, koordinimi dhe vendosmëria jonë në nivel lokal. Mbështetja dhe pjesëmarrja aktive e komunave janë thelbësore për suksesin e këtij procesi”, theksoi Lashkoska, duke bërë thirrje për një partneritet të fortë ndërkomunal dhe zbatim të vazhdueshëm të vendimeve të marra.
Kjo ngjarje organizohet në kuadër të projektit “Menaxhimi i Qëndrueshëm i Mbeturinave në Nivel Lokal”, i financuar nga Suedia dhe i zbatuar nga SALAR International në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe BNJVL.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thekson bashkëpunimin afatgjatë të suksesshëm me Mbretërinë e Suedisë dhe BE-në në procesin e krijimit të sistemeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave, si një nga proceset më të rëndësishme të reformës së infrastrukturës dhe mjedisit në vend.






