Në zgjedhjet e fundit kantonale në Bernë të Zvicrës, mes 160 deputetëve të përzgjedhur, spikat emri i Shasime Osmanit.
Studentja e drejtësisë me origjinë nga Kërçova (Maqedonia e Veriut), ka arritur të sigurojë një ulëse në Parlamentin e Kantonit të Bernës, duke u bërë një zë i fuqishëm për komunitetin shqiptar dhe të rinjtë.
Rrugëtimi i një familjeje kërçovare
Historia e Shasimes është pasqyra e shumë familjeve shqiptare në mërgim:
Viti 1979: Gjyshi i saj migron i pari në Zvicër nga Kërçova.
Viti 1993: Babai i saj bashkohet me familjen në Zvicër.
Viti 1999: Shasimja, në moshën vetëm 1-vjeçare, zhvendoset në Bernë bashkë me nënën e saj.
Kush është Shasime Osmani?
E rritur në lagjen Bümplitz-Bethlehem të Bernës — një zonë e njohur për sfidat sociale dhe arsimore — ajo arriti të thyejë barierat përmes edukimit:
Arsimimi: Studente e Drejtësisë në Universitetin e Bernës.
Përvoja: Ka përfunduar kualifikimet në biznes dhe mban një diplomë profesionale.
Misioni: Gjatë fushatës, ajo premtoi se do të jetë “zëri i atyre që nuk dëgjohen” dhe që kanë frikë të flasin për shkak të statusit të tyre social.
Ajo që mori vëmendje të madhe pas fitores ishte mënyra se si Shasimja zgjodhi të festonte. Fotoja e parë që postoi në rrjetet sociale nuk ishte nga zyrat e shtetit, por një tepsi me fli, ushqimi tradicional shqiptar, shoqëruar me mbishkrimin simbolik: “If you know, you know” (Nëse e dini, e dini).
Vlera e fitores: Me votat e 9,641 qytetarëve, Shasime Osmani tashmë përfaqëson jo vetëm veten, por një brez të ri emigrantësh që po integrohen suksesshëm në majat e politikës evropiane./ms






