Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ishte i hapur dhe i sinqertë, por pa arritur një marrëveshje politike.
Kurti tha se për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për të siguruar stabilitet institucional, është e nevojshme një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
Sipas tij, vetëm formimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re nuk do të ishte i mjaftueshëm, pasi pa një dakordim për postin e presidentit vendi mund të përballet sërish me bllokadë politike dhe shpërndarje të Kuvendit.
“Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen”, tha Kurti, duke shtuar se sipas tij ekziston një dallim i madh mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së.
Ai theksoi se çdo marrëveshje duhet të respektojë vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes zgjedhjeve dhe se nuk mund të arrihet një marrëveshje që, sipas tij, do ta deformonte rezultatin zgjedhor.






