Bujar Osmani kërkon rishqyrtimin e vendimit “non grata”: Shqipëria të mbetet derë e hapur për shqiptarët

Advertisement

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur me vendimin e autoriteteve shqiptare për shpalljen “non grata” të dy qytetarëve nga Maqedonia e Veriut, duke bërë thirrje që ky vendim të rishqyrtohet.

Në një reagim publik, Osmani theksoi se Shqipëria është një shtet sovran dhe se qytetarët e Maqedonisë së Veriut duhet ta respektojnë sovranitetin e saj, duke shmangur përfshirjen në çështjet e brendshme politike të vendit.

Nga ana tjetër, ai vlerësoi se edhe institucionet shqiptare duhet të kenë parasysh lidhjen e veçantë që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë me Shqipërinë.

Sipas Osmanit, nëse vendimi është rezultat i një moskuptimi të këtyre rrethanave, atëherë ekziston mundësia që ai të rishikohet.

Në fund të reagimit, Osmani apeloi që Shqipëria të mbetet “një derë e hapur për shqiptarët”, duke theksuar njëkohësisht se shqiptarët jashtë kufijve të saj duhet ta respektojnë shtetin shqiptar dhe institucionet e tij.

Kujtojmë se autoritetet shqiptare shpallën së fundmi “non grata” analistin Valon Bela dhe imamin Bekir Halimi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit