Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas takimit me presidenten e KE-së Von der Lejen ka shprehur shqetësimin për konkluzionet e aktgjykimit në Hagë për të cilat ka thënë se beson se përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike që duhet të korrigjohen në procedurën e apelit. Ai ka theksuar se Kosova kërkon drejtësi për të gjitha viktimat e luftës, për çdo krim dhe për çdo kryerës, duke përmendur edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Në këtë aktgjykim janë tri pika që duan theksuar ndërkombëtarisht. E para, pretendimet për të ashtuquajturën shtëpi të verdhë dhe për trafikimin e organeve as nuk bën pjesë e aktakuzës, e dyta akuzat për krime kundër njerëzimit e sulme të gjëra e sistematike kundër popullsisë civile u rrëzuan dhe e treta dhomat e specializuara theksuan qartë se UÇK-ja nuk është në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare. Në të njëjtën kohë kemi shqetësime serioze për konkludime të tjera dhe për dënimet e rënda. Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike dhe presim që këto të korrigjohen në apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme. Rreth 20 mijë njerëz janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe shumë kryerës nuk janë ndëshkuar. Kosova kërkon drejtësi për çdo viktimë, për çdo krim dhe çdo kryerës. Ne nuk mund t’i lejojmë barazimin e përgjegjësisë së fajësisë për shkak se dëshiron dikush të krijojë narrativa alternative.” – Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës






