Kujdes nëpër Serbi: Pensionistët shqiptarë nga Zvicra cak i kontrolleve të rrepta dhe konfiskimeve!

Advertisement

Pensionistët tanë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, sidomos ata të sapodal në pension në Zvicër, janë kthyer në “shënjestrën kryesore” të kontrolleve të imtësishme nga autoritetet serbe, përcjell INA.

Policia dhe dogana serbe kanë krijuar një profil të qartë të viktimave: makina me targa zvicerane, të drejtuara nga të moshuar shqiptarë, por edhe kontrolle të autobusëve.

Sipas raportimeve të fundit, autoritetet serbe po i kontrollojnë ata në mënyrë tejet të imtësishme. Arsyeja? Dyshimi se ata mbajnë me vete shuma të mëdha parash të gatshme (kesh) nga tërhiqja e fondeve të pensionit apo nga ajo që njihet si Krankenkasse (Kasa e Sigurimeve Shëndetësore / Fondet e Kursimeve).

Nuk kontrollohen vetëm në kufi, por edhe nëpër pagesa rrugore

Siç mësohet kontrollet nuk po ndodhin vetëm në pikat zyrtare kufitare. Ka raste të konfirmuara kur makinat me targa të Zvicrës, të drejtuara nga pensionistë shqiptarë, po ndalohen për kontrolle të befasishme edhe nëpër pikat e pagesave të autostradave brenda territorit serb.

Një pensionist ka dëshmuar ekskluzivisht për agjencinë e lajmeve INA, duke treguar tmerrin që ka kaluar.

“Përveç që më kontrolluan imtësisht në pikën kufitare në Batrovci, mua dhe bashkëshorten na ndaluan sërish për kontroll në një pikë pagese rrugore brenda Serbisë. Po na gjurmojnë sepse e dinë që pensionistët e sapodalur mund të kenë para me vete.”

Çfarë thotë ligji për paratë e gatshme? (Rregulli i 10,000 Eurove)

Shumë mërgimtarë bien në kurthin e mosinformimit. Ligji ndërkombëtar dhe ai i Serbisë për transitin është i prerë:

Maksimumi pa deklarim: Çdo person lejohet të mbajë me vete deri në 10,000 euro (ose ekuivalentin në franga zvicerane) pa pasur nevojë t’i deklarojë.

Mbi 10,000 euro: Nëse keni qoftë edhe një euro më shumë se 10 mijë, JASHTËZAKONISHT E RËNDËSISHME është t’i deklaroni ato në momentin e hyrjes në kufirin serb.

Pasojat: Nëse kapeni me më shumë se 10,000 euro të padeklaruara, autoritetet serbe kanë të drejtë ligjore t’i konfiskojnë ato menjëherë dhe paratë mund të mos i shihni kurrë më.

Ky shkrim shërben si një thirrje urgjente për
sensibilizim për të gjithë prindërit dhe familjarët tanë që nisen nga Zvicra:

1. Mos udhëtoni me shuma të mëdha kesh: Mënyra më e sigurt është që paratë e pensionit t’i transferoni përmes bankave direkt në Kosovë apo Maqedoni.

2. Nëse vendosni t’i merrni me vete: Mos rrezikoni! Çdo vlerë mbi 10 mijë euro për person DEKLAROJENI që në sekondën e parë në kufi. Mos rrezikoni djersën e një jete nëpër rrugët e Serbisë.(INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit