Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe Sekretarja e Përgjithshme Marina Dimovska po marrin
pjesë në Konferencën Evropiane të kryetarëve të parlamenteve dhe sekretarëve të
përgjithshëm, e cila po mbahet më 15 dhe 16 tetor 2026 në Romë, Itali.
Në ditën e parë, fjalime drejtuar kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit
të Evropës patën kryetari i Dhomës së Deputetëve dhe kryetari i Senatit të Republikës së
Italisë, Lorenco Fontana dhe Ignacio La Rusa, të cilët e theksuan rolin dhe rëndësinë e
Organizatës si mbrojtëse e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në
kontinentin evropian.
Kjo u pasua nga debati mbi demokracitë e rezistueshme të bashkuara kundër kërcënimeve
hibride, i cili theksoi se paqëndrueshmëria gjeopolitike e sotme dhe përparimet teknologjike
i kanë bërë kërcënimet hibride më të sofistikuara, duke shfrytëzuar shoqëritë demokratike
për të rritur polarizimin, për të përhapur përçarjet dhe për të minuar besimin në institucionet.
U theksua se mbrojtja e suksesshme kërkon kombinimin e sigurisë kibernetike,
transparencës dhe rezistencës shoqërore, dhe se përvoja tregon se qasjet më efektive
kombinojnë mekanizmat mbrojtës juridikë, mbrojtjen teknike dhe masat për të forcuar
besimin publik.
Gjatë Konferencës, Kryetari Gashi realizoi takim dypalësh me Kryetarin e Kuvendit të Madh
Kombëtar të Turqisë, Numan Kurtulmush, në të cilin u konfirmuan marrëdhëniet e
shkëlqyera midis dy vendeve, rëndësia e komunitetit turk në ndërtimin e kontakteve të
ngushta dhe roli dhe kontributi i Republikës së Turqisë në stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
U konstatua së bashku se miqësia dhe partneriteti tradicional kanë lidhje të thella historike
dhe kulturore, bashkëpunimi është dinamik në të gjitha nivelet dhe mbajtja e komunikimit
intensiv në nivel të lartë kontribuon ndjeshëm në avancimin e marrëdhënieve të
përgjithshme midis dy vendeve.








