Kryeministri britanik Andy Burnham tha të hënën se është koha të pranohet që Brexit-i nuk ka dhënë rezultatet e pritura për Mbretërinë e Bashkuar dhe se vendi ka nevojë për një marrëdhënie shumë më të ngushtë me Bashkimin Evropian, për të luftuar izolacionizmin në rritje në mbarë botën.
Ai e krahasoi rezultatin e shkëputjes së Britanisë nga BE-ja, të nxitur nga referendumi i vitit 2016, me përrallën e Hans Christian Andersen-it “Rrobat e reja të perandorit”, në të cilën askush nuk guxon t’i thotë sundimtarit se, në fakt, ai është lakuriq.
“Unë përpiqem t’i them gjërat ashtu siç i shoh”, tha Burnham në një fjalim mbi politikën e jashtme, mbajtur në banketin e Kryebashkiakut (Lord Mayor) në distriktin financiar të Londrës.
“Brexit-i që na u ofrua nuk ka funksionuar. Kemi humbur më shumë sesa kemi fituar”.
Duke kërkuar t’i japë fund një dekade trazirash politike – periudhë gjatë së cilës ai u bë kryeministri i shtatë i Britanisë që nga viti 2016 – Burnham deklaroi se Mbretëria e Bashkuar është rikthyer në skenën botërore.
Ai argumentoi se vendi është në një pozicion të favorshëm për të marrë rolin udhëheqës në një epokë të bashkëpunimit ndërkombëtar të ripërtërirë, falë përvojës së tij që nga viti 2016.
“Brexit-i ishte dominoja e parë që ra në një lëvizje globale drejt më shumë izolacionizmit dhe proteksionizmit”, tha ai. “Ishte pikërisht ajo që donin armiqtë tanë. Rusia dëshironte përçarje brenda NATO-s dhe një Evropë më të dobët”.








