Debati për përdorimin e gjuhës shqipe në Komunën e Butelit vazhdon. Pas vendosjes së tabelës informuese në Mega Park vetëm në gjuhën maqedonase, këshilltarët shqiptarë të VLEN-it dhe AKI-së kërkojnë respektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke theksuar se nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre.
Edhe këshilltari i AKI-së, në qëndrimin e tij, thekson se nuk ka arsye për frikë kur kërkohet vetëm zbatimi i ligjit. Ai shprehet i gatshëm për bashkëpunim me këshilltarët e VLEN-it, me qëllim të realizimit të të drejtave të shqiptarëve në këtë komunë.
Ndërkohë, për rastin është aktivizuar edhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve. Drejtori i këtij institucioni, Arsim Idrizi, konfirmon se ka pranuar dy iniciativa, më 4 dhe 12 nëntor, pas të cilave ka urdhëruar inspektimin e gjendjes faktike në Komunën e Butelit.
Idrizi thotë se procesi i inspektimit është ende në fazën fillestare dhe se nuk dëshiron të paragjykojë hapat e mëtejshëm, por pret që institucionet të reflektojnë dhe ta respektojnë të drejtën ligjore të qytetarëve.
Ndërkaq, sa i përket përgjegjësisë dhe masave që mund të pasojnë nëse Komuna e Butelit nuk e korrigjon parregullsinë, drejtori i Inspektoratit nuk deshi të japë përgjigje hipotetike, duke kërkuar që fillimisht të përfundojë procedura inspektuese.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, në nenin 22, parasheh gjoba prej 4.000 deri në 5.000 euro për institucionet që nuk i respektojnë dispozitat e tij, si dhe gjobë prej 30 për qind të shumës së përcaktuar për personin zyrtar dhe personin përgjegjës në institucion.
Ndërsa neni 16 rregullon përdorimin e gjuhëve në emërtimet e rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, në përputhje me dispozitat ligjore.
Mbetet të shihet nëse Komuna e Butelit do ta korrigjojë tabelën në Mega Park dhe nëse procedura e nisur nga Inspektorati do të rezultojë me masa konkrete ndaj institucionit./TS/








