-Bashkimi Evropian po dërgon një mesazh të qartë se procesi i zgjerimit mbetet i hapur, por gjithnjë e më i kushtëzuar me rezultate konkrete në reforma, sundimin e ligjit dhe funksionalitetin e institucioneve. Kjo ishte thelbi i deklaratës së komisioneres së BE-së për zgjerim, Marta Kos, dhënë para mbledhjes së Këshillit të BE-së në Bruksel.
“Kam një mesazh shumë të qartë – ka vend për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zgjerimi është prioritet për Bashkimin Evropian dhe nëse kandidatët tanë japin rezultate, atëherë duhet të japim edhe ne,” tha Kos para gazetarëve para mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së të hënën.
Ajo theksoi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane, por se përparimi do të varet ekskluzivisht nga përmbushja e kritereve, dhe jo nga marrëveshje politike apo zotime deklarative.
Në fjalën e saj, Mali i Zi u veçua si vendi më i avancuar në procesin e anëtarësimit. Kos zbuloi se pas gati dy dekadash është formuar një strukturë e re pune në Bruksel për të përshpejtuar pjesën teknike të negociatave, me pritshmërinë që Podgorica të përmbyllë fazat kyçe deri në fillim të vitit të ardhshëm.
Një situatë krejt tjetër paraqitet për Serbinë, për të cilën nga Brukseli vijnë mesazhe kritike. Edhe pse formalisht nuk ka një bllokim të plotë të fondeve, komisionerja konfirmoi se nuk ka pagesa për shkak të disa reformave të diskutueshme në sistemin e drejtësisë. Mesazhi për Beogradin mbetet i qartë – përparimi drejt BE-së është i mundur vetëm me përmirësime demokratike dhe institucionale.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian po paralajmëron instrumente të reja financiare në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Rreth 100 milionë euro janë parashikuar për mbështetjen e Shqipërisë dhe Malit të Zi, si pjesë e strategjisë më të gjerë për afrimin ekonomik të rajonit me tregun e vetëm evropian.
Gjithashtu, vendet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë, po i bashkohen sistemit SEPA, që do të mundësojë pagesa më të shpejta dhe më të lira në euro dhe përbën një nga hapat e parë konkretë drejt integrimit ekonomik.
Ngjarja e radhës e rëndësishme në këtë kontekst do të jetë Samiti BE – Ballkani Perëndimor më 5 qershor në Podgoricë, ku pritet të konfirmohet perspektiva evropiane e rajonit, por edhe të theksohet se anëtarësimi mbetet i kushtëzuar rreptësisht me rezultate të matshme në terren.





