Komandant Hoxha i përgjigjet Ali Ahmetit: Lufta nuk fitohet me deklarata, por në front

Advertisement

Xhezair Shaqiri, i njohur si komandant Hoxha, i është përgjigjur publikisht kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, me një reagim të gjatë ku vë në pikëpyetje rolin e disa drejtuesve gjatë konfliktit të vitit 2001, duke theksuar se lufta nuk fitohet me deklarata, por me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në front, përcjell Zyrtare.net

Në reagimin e tij, Shaqiri rrëfen një bisedë që, sipas tij, kishte zhvilluar pas luftës me një nga gjeneralët e UÇK-së, të cilin e akuzon se iu bashkua luftës vetëm pasi pa zhvillimet në terren dhe se nuk kishte dhënë kontribut në organizimin e rezistencës në zonën e tij.

Ai pretendon se personi në fjalë kishte hartuar dokumente për formimin e brigadave dhe batalioneve, por pa pasur ushtarë dhe strukturë reale, ndërsa shton se organizimi i UÇK-së, sipas tij, ishte ndërtuar fillimisht mbi logjistikën, furnizimin me armë dhe mobilizimin e vullnetarëve, e më pas mbi krijimin e njësive ushtarake.

Shaqiri gjithashtu pretendon se disa persona që qëndruan larg vijës së frontit administruan fondet e mbledhura nga mërgata, ndërsa luftëtarët në terren përballeshin me mungesë armësh dhe municionesh.

Në fund të reagimit, komandant Hoxha u bën thirrje ish-drejtuesve të luftës që, sipas tij, pretendojnë se kanë fituar betejat e UÇK-së, të paraqesin fakte dhe dëshmi konkrete për rolin e tyre gjatë konfliktit.

“Qëllimet e mira nuk mjaftojnë pa vepra dhe pa kontribut konkret”, përfundon Shaqiri në reagimin e tij./ZYRTARE.net

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit