Kryeministri Hristijan Mickoski sot deklaroi se pret që interkonektori gazsjellës me Greqinë të përfundojë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.
“Në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, pres që të jetë gati, dhe ja të bëhem një hap më optimist, në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, pres që gazsjellësi ynë kombëtar të jetë plotësisht i sinkronizuar me gazsjellësin kombëtar grek. Tashmë është paralajmëruar nga ana e Interkonektorit Nomagas me Serbinë, kështu që gjithçka për çka flasim po zbatohet dhe po e bëjmë me fondet tona. Nuk kemi kredi, nuk kemi hua, nuk kemi donacion, nuk kemi grant, nuk kemi asgjë, por po e bëjmë me fondet tona përmes punëve amvise”, tha Mickoski sot duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vendosjes së gurthemelin për ndërtimin e pishinës së mbyllur në Shkollën Fillore “Aco Shopov” në Komunën e Butelit.
Ai shtoi se në vijim janë tre projekte të reja që po ristartohen – gazsjellësi që duhet të lidhë Velesin dhe Shtipin, gazsjellësi që duhet të lidhë Gostivarin me Kërçovën dhe një pjesë që do të tërhiqet para Tetovës dhe që do të hyjë në Kosovë.
“Pastaj, ia lëmë Qeverisë së Kosovës të vendosë nëse do ta vazhdojë zhvillimin e tij në territorin e vendit të saj apo jo, ky është vendimi i tyre, por është e jona të bëjmë atë që kemi diskutuar dhe do ta bëjmë”, shtoi kryeministri.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale gjithashtu dje theksoi se interkonektori i gazsjellësit me Greqinë do të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm, në përputhje me afatet dhe planet e përcaktuara për zbatim.
Dje, në MERMS u zhvillua një takim midis ministres Sanja Bozhinovska, drejtorit ekzekutiv të NOMAGAS SHA Shkup, Nedim Rama dhe drejtoreshës ekzekutive të operatorit grek të sistemit të transmetimit të gazit natyror DESFA, Marija Sferuca.
Në takim u shqyrtuan aktivitetet aktuale për ndërtimin e interkonektorit në të dyja anët e kufirit, si dhe dinamika për zbatimin e detyrimeve kontraktuale.





