Klinika Universitare e Urologjisë në Shkup po shndërrohet në qendër rajonale për edukimin dhe trajnimin e urologëve nga vendet e rajonit. Ministria e Shëndetësisë njofton se më 2 nëntor, klinika organizoi një program ndërkombëtar edukativ, ku morën pjesë urologë nga Bullgaria, Serbia, Kosova dhe Shqipëria. Ata u njohën me metodat më bashkëkohore kirurgjikale për trajtimin e inkontinencës urinare dhe disfunksionit erektil përmes implanteve dhe protezave urologjike.
Gjatë programit njëditor u realizuan tri ndërhyrje kirurgjikale, përfshirë implantimin e një proteze penile trekomponente dhe vendosjen e dy sfinkterëve artificialë urinarë te meshkujt.
Përveç ndjekjes së drejtpërdrejtë të operacioneve, mjekët pjesëmarrës u informuan edhe për përzgjedhjen dhe përgatitjen e pacientëve, llojet e implanteve, mënyrën e vendosjes së tyre dhe komplikimet e mundshme pas operacionit.
Ndërhyrjet dhe programin edukativ i udhëhoqi profesori dr. Ognen Ivanovski.
Ministria e Shëndetësisë vlerëson se kjo iniciativë përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e urologjisë në vend dhe në promovimin e ekspertizës vendase në rajon.
Klinika, sipas njoftimit, do të vazhdojë të shërbejë si qendër për edukimin, trajnimin dhe përsosjen profesionale të urologëve nga vendet e rajonit.








