Këshilli i Sigurisë Kombëtare kërkon respektimin e hetimeve ndaj Hysenit

Advertisement

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shqipërisë u bëri thirrje institucioneve që të respektojnë hetimet e pavarura të drejtësisë, pas vendimit për arrest shtëpiak ndaj ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni.

Në përfundim të mbledhjes së thirrur nga presidenti Bajram Begaj, Presidenca theksoi se çështjet individuale nuk duhet të kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe institucioneve të sigurisë.

Këshilli kërkoi më shumë bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional mes institucioneve të sigurisë, duke nënvizuar se ato nuk duhet të konkurrojnë me njëra-tjetrën.

Mbledhja u zhvillua në kohën kur Hyseni po hetohet nga SPAK për dyshime për zbulim të të dhënave sekrete dhe përkrahje të autorit të krimit, në kuadër të hetimeve për dosjen “AKSHI”.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi masën e arrestit shtëpiak ndaj Hysenit si “ekstreme”, ndërsa tha se kur hetimi prek drejtuesin e shërbimit inteligjent, çështja bëhet problem për të gjithë shtetin.

Në mbledhje morën pjesë drejtuesit kryesorë të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa ishin ftuar edhe përfaqësues të SPAK-ut dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit