Këshilli i Prokurorëve Publikë sot pritet të mbajë seancë, në të cilën do të formohen komisionet lidhur me procedurën për zgjedhjen e prokurorit të ri publik themelor të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), p;rcjell TV21. Sipas rendit të ditës së seancës së 50-të, parashihet formimi i Komisionit për përgatitjen e listave të kandidatëve, si dhe Komisionit për zgjedhjen e prokurorit publik themelor të PTHP NKOK.
Në konkursin për zgjedhjen e drejtuesit të ri të PTHP NKOK deri tani janë paraqitur pesë prokurorë publikë. Sipas informacioneve të konfirmuara për MIA-n nga kryetari i Shoqatës së Prokurorëve Publikë, Bashkim Besimi, kandidaturat i kanë dorëzuar prokurori i lartë publik Jove Cvetanovski, prokurori në Prokurorinë e Lartë Publike dhe ish-prokurori i PSP-së, Trajçe Pelivanov, prokurorja e PTHP Shkup, Lidija Raiçeviq, si dhe prokurorët e PTHP NKOK, Iskra Haxhi-Vasileva dhe Faton Azizi.
Konkursi për zgjedhjen e drejtuesit të PTHP NKOK është shpallur në përputhje me Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe Ligjin për Prokurorinë Publike. Sipas kushteve, të drejtë kandidimi kanë prokurorët publikë me të paktën gjashtë vjet përvojë të pandërprerë në funksionin e prokurorit deri në momentin e aplikimit dhe me vlerësim pozitiv në tre vitet e fundit.
Zgjedhja e prokurorit të ri publik themelor të PTHP NKOK është caktuar për 28 tetor 2026.
Procedura zhvillohet për shkak të skadimit të mandatit të drejtuesit aktual të PTHP NKOK, Islam Abazi, i cili në këtë detyrë u zgjodh në tetor të vitit 2022.






