Policia e Shqipërisë ka njoftuar finalizimin e operacionit ndërkombëtar të koduar “Fury”, gjatë të cilit janë arrestuar në Durrës dy shtetas të kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për vepra të rënda penale, përcjell TV21. Sipas kumtesës së Policisë së Shtetit, të arrestuarit janë M. Xh., 26 vjeç, i lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, i lindur në Norvegji.
“Për këta shtetas, INTERPOL ka lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për: vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale, në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
Sipas autoriteteve shqiptare, gjatë kontrollit të personave të arrestuar janë gjetur dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara.
“Dokumentet dyshohet se janë përdorur për të udhëtuar jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim shmangien e sistemit të drejtësisë në këtë vend”, njofton Policia.
Në kuadër të operacionit është arrestuar edhe një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Xh. R., 26 vjeç, i cili dyshohet se u ka siguruar dy të kërkuarve dokumente false.





