RUSI – Zjarre në rafineritë e naftës, pas sulmeve ukrainase me dronë

Advertisement

Një rafineri nafte në jug të Rusisë u përfshi nga flakët pas sulmeve me dronë të kryera gjatë natës nga Ukraina, njoftuan sot autoritetet rajonale ruse.

 

Rafineria “Ilsky”, e vendosur në jugperëndim të rajonit të Krasnodarit, është një nga objektet energjetike ruse më të goditura nga sulmet ukrainase. Sipas autoriteteve lokale të menaxhimit të krizave, zjarri shpërtheu pas sulmit, por nuk pati të lënduar.

 

Edhe objektet e naftës në rajonin jugor të Rostovit pësuan dëme. Guvernatori i rajonit, Yuri Slyusar, deklaroi në Telegram se në qytetin e Azovit morën flakë dy depo të naftës dhe një ndërtesë administrative.

 

Ai shtoi se edhe porti i qytetit të madh Taganrog u vu në shënjestër të sulmeve, ndërsa ekipet e zjarrfikësve vazhduan punën për shuarjen e zjarreve. Sipas tij, nuk është raportuar për viktima.

 

Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se gjatë natës forcat e mbrojtjes ajrore rrëzuan mbi 370 dronë në mbarë vendin.

 

Ndërkohë, Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj territorit rus si pjesë e mbrojtjes kundër pushtimit në shkallë të plotë të nisur nga Rusia, tashmë në vitin e pestë. Përveç objektivave ushtarake, sulmet kanë në shënjestër edhe prodhuesit e armëve dhe infrastrukturën strategjike të industrisë së naftës.

 

Sipas vlerësimeve të ndryshme, këto sulme të vazhdueshme kanë ulur ndjeshëm kapacitetin e përpunimit të naftës në Rusi, ndërsa në shumë rajone janë raportuar mungesa të karburanteve./ /Ad.Ab./ a.jor.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit