Shkup, 10 korrik – Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u mbajt një ngjarje përkujtimore me rastin e 11 Korrikut – Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, ku u nderuan viktimat dhe u përcoll mesazhi për ruajtjen e memories historike, paqes dhe bashkëjetesës.
Në fjalën e tij, kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Adnan Azizi, e cilësoi Srebrenicën si një plagë që nuk shërohet, duke theksuar se pas statistikave dhe numrave fshihen jetë njerëzore dhe tragjedi të pafundme.
“Në Srebrenicë nuk u sulmua vetëm një popullsi, por vetë njerëzimi”, u shpreh Azizi.
Ai theksoi se, duke pasur parasysh karakterin multietnik të Maqedonisë së Veriut, bashkëjetesa dhe respekti i ndërsjellë mund të ruhen vetëm përmes institucioneve të forta, demokratike dhe të përgjegjshme.
Azizi nënvizoi se kujtimi për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë duhet të mbetet i gjallë, si një obligim moral për të mos lejuar përsëritjen e tragjedive të tilla.
Në aktivitet morën pjesë dhe mbajtën fjalime edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, profesori Ferid Muhiq, si dhe përfaqësuesi i Lidhjes Nacionale Boshnjake, Xhevad Hot. përcjell Zhurnal.mk .





