KAB Struga vazhdon monitorimin e premtimeve zgjedhore

Advertisement
KAB Struga vijon zbatimin e aktiviteteve për monitorimin e masave konkrete që burojnë nga premtimet zgjedhore në komunat e Strugës dhe Vevçanit. Gjatë muajit korrik, monitorët e angazhuar zhvilluan një sërë takimesh intensive me përfaqësues të institucioneve lokale, me qëllim vlerësimin e progresit në realizimin e premtimeve dhe rritjen e transparencës institucionale.
Monitori për Komunën e Vevçanit, Masar Zhaku, realizoi takim me drejtoreshën e Ndërmarrjes Publike Komunale “Eremija”, znj. Jasmina Bebekoska, në kuadër të monitorimit të masës “Ndërtimi dhe mirëmbajtja e ndriçimit publik në territorin e Komunës së Vevçanit”, e cila njëherazi përbën edhe një nga premtimet zgjedhore të kryetarit aktual të komunës.
Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e zbatimit të kësaj mase. Sipas informacioneve dhe dokumentacionit të prezantuar, projekti tashmë është inkorporuar në programet komunale dhe realizimi i tij po zhvillohet sipas fazave të planifikuara. Drejtoresha Bebekoska u tregua e hapur dhe bashkëpunuese ndaj procesit të monitorimit, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim të vazhdueshëm në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies institucionale.
Ndërkohë, monitori për Komunën e Strugës, Nderim Pollozhani, u takua me përfaqësuesit e Inspektoratit Komunal të Komunës së Strugës, z. Mitko Korkutoski dhe z. Fejzi Ziba, në kuadër të monitorimit të masave që lidhen me menaxhimin e mbeturinave dhe deponive të egra. Gjatë takimit u diskutua për gjendjen aktuale në terren, ku sipas të dhënave të Inspektoratit, numri i deponive të egra në territorin e komunës mbetet i lartë dhe tejkalon 100 lokacione.
Përfaqësuesit e Inspektoratit njoftuan se në komunë ekziston një deponi e dedikuar për grumbullimin e mbeturinave ndërtimore, por e njëjta nuk po shfrytëzohet nga qytetarët dhe subjektet për të cilat është destinuar. Gjithashtu, u theksua nevoja për ndërgjegjësim më të madh të qytetarëve dhe për forcimin e bashkëpunimit institucional në drejtim të zvogëlimit të deponive të egra dhe përmirësimit të menaxhimit të mbeturinave.
KAB Struga mbetet e përkushtuar në monitorimin e zbatimit të premtimeve zgjedhore dhe informimin e rregullt të publikut mbi rezultatet e këtij procesi. Aktivitetet monitoruese do të vazhdojnë sipas planit të paraparë, me synim forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjësisë së institucioneve lokale ndaj qytetarëve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit