Klubi Alpin Bjeshkatar KAB STRUGA 2017 ka nisur zyrtarisht një projekt të rëndësishëm për transparencën dhe llogaridhënien në nivel lokal, duke vendosur në fokus premtimet zgjedhore dhe problemet reale të qytetarëve.
Më 28 prill 2026, u zhvillua eventi hapës i projektit “Monitorimi i Përmbushjes së Premtimeve Zgjedhore dhe Angazhimi Aktiv i Qytetarëve në Komunat e Strugës dhe Vevçanit”, i mbështetur nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) dhe financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Në Strugë, projekti do të përqendrohet në monitorimin e deponive të egra – identifikimin e tyre, përhapjen dhe reagimin institucional ndaj këtij fenomeni që vazhdon të mbetet problem serioz për mjedisin dhe shëndetin publik. Paralelisht, do të punohet për rritjen e angazhimit qytetar, duke nxitur sidomos të rinjtë të bëhen pjesë aktive e ndryshimit.
Në Vevçan, vëmendja do të jetë te realizimi i premtimeve për një komunë të gjelbër dhe energjetikisht efikase, duke analizuar nëse zotimet politike janë shndërruar në veprime konkrete.
Nga KAB STRUGA 2017 theksojnë se ky projekt nuk është vetëm një aktivitet monitorimi, por një përgjegjësi ndaj komunitetit, pasi ata vetë janë pjesë e përditshmërisë së qytetarëve dhe përballen me të njëjtat sfida.
Gjetjet do të publikohen rregullisht dhe në mënyrë transparente, me synimin për të rritur llogaridhënien dhe për të nxitur përmirësime reale në komunat e përfshira.






