Jozi Marku në “stop-listë” në Kosovë pas sulmit ndaj Edi Kuçit, hapet rast penal

Advertisement

Jozi Marku është vendosur në “stop-listë” nga autoritetet kosovare pas incidentit të dhunshëm ndaj Edi Kuçit, për të cilin së fundmi është publikuar edhe videoja e plotë e sulmit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se prokurori kujdestar ka hapur rast penal ndaj J.M., shtetas i Republikës së Shqipërisë.

Sipas Nikçit, rasti është hapur për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndaj shtetasit të Kosovës, E.K., inicialet e të cilit i referohen Edi Kuçit.

“Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht prokurori kujdestar, me vetiniciativë ka hapur rast penal ndaj J.M., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ të shkaktuar ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës E.K.”, ka deklaruar Nikçi.

Ai ka bërë të ditur se Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit, vendosjen në “stop-listë” të të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera ligjore.

“Prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit dhe vendosjen në stop-listë të të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj tij”, ka thënë Nikçi.

Sipas Prokurorisë, veprimet janë ndërmarrë në bazë të dispozitave të nenit 109 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili, sipas saj, zbatohet edhe ndaj personave të huaj që kryejnë vepra penale jashtë territorit të Kosovës ndaj shtetasve të saj.

Rasti lidhet me përleshjen mes Jozit dhe Edi Kuçit, pamjet e së cilës kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjetet sociale. Në videon e plotë, të publikuar nga portali “Reporteri”, shihet momenti kur Edi ndalohet në rrugë përmes një tabele të falsifikuar “Stop”, ndërsa më pas i dilet në pritë dhe sulmohet fizikisht.

Në pamje dëgjohet Jozi duke e pyetur Edin për arsyen e sharjeve, ndërsa më pas vazhdon përplasja fizike. Edi shihet duke kërkuar që sulmi të ndalet, ndërsa në fund Jozi i kërkon të ulet në gjunjë dhe të kërkojë falje.

Pas publikimit të pamjeve, rasti ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale.

Me hapjen e rastit penal dhe vendosjen e J.M. në “stop-listë”, autoritetet kosovare kanë ndërmarrë veprimet e para ligjore, ndërsa rasti pritet të procedohet më tej nga organet kompetente.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit