Jehona Ajradini me “IDENTITY – Aporia” sjell në fokus botën e brendshme të njeriut

Advertisement

 

Në Muzeun e Artit Bashkëkohor – Shkup, mbrëmjen e djeshme u hap ekspozita e përbashkët “IDENTITY – Aporia”, e artisteve Jehona Ajradini dhe Sihana Sejfullai, duke sjellë para publikut 20 piktura të realizuara gjatë këtij viti.

Në këtë projekt, Jehona Ajradini fokusohet te identiteti njerëzor, emocionet dhe bota e brendshme e individit. Përmes gjuhës së pikturës, veprat trajtojnë tensionin mes asaj që njeriu shfaq dhe asaj që mbetet e fshehur brenda tij.

Fytyra është një nga elementet qendrore të ekspozitës, ndërsa përmes saj artistet eksplorojnë gjendje të ndryshme emocionale. Elementet abstrakte plotësojnë figurat, duke simbolizuar mendimet, përjetimet dhe emocionet që shpesh janë të vështira për t’u shprehur me fjalë.

Koncepti i “Aporia” lidhet me gjendjen e dyshimit, kundërthënies dhe pamundësisë për të arritur një përgjigje të plotë. Pikërisht kjo ide shndërrohet në një kërkim artistik mbi identitetin dhe pyetjen se sa mirë mund ta njohë njeriu veten.

Përmes veprave të saj, Ajradini e fton publikun të mos mbetet vetëm te ajo që shihet në sipërfaqe, por të reflektojë mbi emocionet, pasiguritë dhe përvojat që formojnë identitetin e secilit individ.

Ekspozita “IDENTITY – Aporia” u hap dje në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup dhe paraqet një bashkëpunim artistik mes dy piktoreve, të ndërtuar gjatë një procesi krijues që ka zgjatur përgjatë gjithë vitit.

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit