Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, vizitoi Departamentin për Punë të Brendshme në Prilep, pas operacionit policor kundër një grupi kriminal të dyshuar për trafikim të drogës dhe krim ekonomik.
Janev bëri të ditur se gjatë operacionit janë kontrolluar 36 lokacione, ndërsa një ditë më vonë është kontrolluar edhe një kasafortë bankare, ku janë gjetur mbi 50 mijë euro. Në mesin e 37 lokacioneve të kontrolluara, katër kanë qenë të lidhura me punonjës policorë të OVR Prilep.
Në kuadër të aksionit janë sekuestruar edhe automjete, ndërsa në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është dorëzuar kallëzim penal ndaj 21 personave. Gjykata në Shkup ka caktuar masa sigurie për të gjithë të përfshirët.
Sipas Janevit, operacioni ishte rezultat i një hetimi që kishte zgjatur më shumë se një vit dhe përfshiu aktivitete në Prilep, Shkup dhe Strugë.
“Miti për të paprekshmit në Prilep më në fund ra”, deklaroi Janev, duke theksuar se askush nuk duhet të mund të fshihet pas lidhjeve apo kontakteve për t’i shpëtuar ligjit.
Ai tha se operacioni nuk shënon fundin e aktiviteteve policore në Prilep, pasi hetimi do të vazhdojë. Janev paralajmëroi gjithashtu prani më të madhe dhe më të dukshme të policisë në terren dhe bashkëpunim më të ngushtë me qytetarët.
Ai u bëri apel qytetarëve që të raportojnë rastet e krimit dhe të mos mbeten dëshmitarë të heshtur, duke theksuar se besimi te institucionet ndërtohet përmes punës së përditshme dhe rezultateve konkrete.






