Ish-ministri i mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Trajan Gocevski ka nxjerrë një pretendim të fortë se vdekja e presidentit Boris Trajkovski në aksidentin ajror të vitit 2004 nuk ishte një ngjarje fatkeqe, por një atentat i mirëfilltë.
„Boris Trajkovskit i bënë atentat“, deklaroi Gocevski gjatë një interviste për 4TV, duke theksuar se, sipas tij, rasti duhet të rihapet dhe të shqyrtohet sërish në kontekstin e krizave politike dhe të sigurisë që kaloi Maqedonia në vitet 1999 dhe 2001.
Ai vlerëson se ekzistojnë rrethana të shumta të cilat ngrenë dyshime për një lidhje të mundshme mes rrëzimit të avionit dhe ngjarjeve të asaj periudhe.
Gocevski u ndal edhe te çështjet që lidhen me hetimin e rrëzimit të avionit me të cilin udhëtonte Trajkovski. Sipas tij, në hetim u angazhuan navigatorë dhe oficerë të huaj, por roli i tyre i mëtejshëm, siç pretendon ai, nuk u sqarua kurrë mjaftueshëm.
„Ka shumë gjëra që mbetën pezull dhe ne si shtet nuk arritëm të imponoheshim për t’i zbardhur — gjë që është e rëndësishme si për familjet e tyre, ashtu edhe për ne si shtet“, deklaroi Gocevski.
Ai vlerësoi se në Maqedoni ka edhe raste të tjera të personave të humbur dhe ngjarjeve të pazbardhura që nuk kanë marrë vëmendjen e duhur institucionale.
Pretendimi se aksidenti ajror ku humbi jetën Boris Trajkovski ishte atentat mbetet një qëndrim personal i Gocevskit, ndërsa në deklaratën e tij nuk janë paraqitur prova me të cilat kjo do të konfirmohej.(INA)






