Mickoski pas raportit të KE-së: BE-ja mbetet synimi ynë strategjik, por nuk do të negociojmë për konteste bilaterale

Advertisement

Shkup, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkimi Evropian mbetet përcaktim strategjik i Maqedonisë së Veriut, por procesi i zgjerimit duhet të bazohet në përmbushjen e kritereve dhe rezultateve të arritura, e jo në konteste bilaterale. Kështu deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën e përbashkët për media me ambasadorin e BE-së, Mihalis Rokas, pas prezantimit të Raportit të Komisionit Evropian për përparimin e vendit.

Mickoski theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të sillte përfitime konkrete për qytetarët dhe shtetin, ndër të cilat zhvillim profesional, mundësi të reja punësimi, qasje në tregun e përbashkët evropian dhe siguri më të madhe.

Megjithatë, ai përsëriti se qëndrimi i Qeverisë lidhur me ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar, duke theksuar se Maqedonia e Veriut pret që rruga drejt integrimit evropian të mbështetet në parime dhe në zbatimin e reformave.

“Ne besojmë në një Evropë që i respekton parimet e veta. Ne do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin përkushtim”, deklaroi Mickoski.

Konferenca e përbashkët për media u mbajt pas dorëzimit të Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026 nga ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, te kryeministri i vendit.

Në raport, Komisioni Evropian konstaton se Maqedonia e Veriut ka ruajtur përputhshmërinë e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, evidentohen aktivitetet e ndërmarra në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Nga ana tjetër, në dokument theksohet se nuk ka pasur përparim në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat mbeten kusht për hapjen e grup-kapitullit të parë të negociatave me BE-në.

Brukseli vë në pah edhe nevojën për përparim më të madh në luftën kundër korrupsionit, reformën e administratës publike dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Kështu, raporti i këtij viti pasqyron si fushat ku vendi ka ruajtur përputhshmërinë dhe ka shënuar aktivitete, ashtu edhe sfidat që mbeten përpara në procesin e integrimit evropian. përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit