Maqedonia e Veriut ka pësuar humbje 2-0 në transfertën ndaj Sllovenisë, në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve. Pas disfatës ndaj Zvicrës, përfaqësuesja mbetet pa pikë pas dy ndeshjeve dhe vazhdon serinë negative në sulm, me më shumë se 10 orë pa shënuar gol.
Pjesa e parë në Lubjanë u mbyll pa gola, ndërsa të dyja skuadrat patën disa raste për të kaluar në avantazh. Maqedonia e Veriut u paraqit më mirë dhe pati mundësi përmes Agon Elezit, por nuk arriti ta konkretizojë.
Sllovenia e nisi më mirë pjesën e dytë dhe në minutën e 55-të kaloi në epërsi. Sandi Lovrić goditi fuqishëm nga një pozicion anësor, ndërsa topi pas një devijimi përfundoi në rrjetën e Stole Dimitrievskit.
Pas golit, trajneri Goce Sedlloski bëri disa zëvendësime, duke futur në lojë Enis Bardhin, Hristijan Maleskin, Luka Stankovskin dhe Bojan Miovskin.
Maqedonia e Veriut kërkoi golin e barazimit, por Sllovenia shfrytëzoi një kundërsulm në minutën e 82-të. Aljoša Matko doli i vetëm përballë Dimitrievskit dhe shënoi për 2-0.
Maleski pati mundësinë për të ngushtuar rezultatin vetëm pak minuta më vonë, por Jan Oblak reagoi shkëlqyeshëm dhe e ndali goditjen e tij.
Deri në fund nuk pati ndryshim të rezultatit. Maqedonia e Veriut mbetet pa pikë dhe pa gol pas dy ndeshjeve në Ligën e Kombeve.






