Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka ftuar shqiptarët që t’i bashkohen protestës së 1 Tetorit në Prishtinë, e cila do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, nga ora 16:00.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti u është drejtuar familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës, kategorive të dala nga lufta, si dhe patriotëve e bashkatdhetarëve, transmeton Klankosova.tv.
Ahmeti ka thënë se protesta do të jetë paqësore dhe dinjitoze, ndërsa ka kërkuar drejtësi të bazuar në fakte dhe prova, “e jo në dëshmi të fabrikuara në Beograd e në Moskë”, transmeton Klankosova.tv.
“Historia nuk mund të gjykohet. Ajo duhet të dëshmohet me të vërtetën”, ka shkruar Ahmeti.
Ai shtoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një nga vlerat më sublime të shqiptarëve në historinë e tyre më të re dhe pjesë e sakrificës, lirisë dhe dinjitetit të popullit.
Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje të përbashkët në protestë, duke e përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Për drejtësi. Për të vërtetën. Për dinjitetin. Për lirinë”.






