Është e zakonshme të dëgjosh zëra sirenash që thonë se ky vend nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian – ose se BE-ja nuk e dëshiron atë brenda ose se nuk është në gjendje të jetë pjesë e BE-së. Asnjë nga këto pretendime nuk janë të vërteta, tha sot shefi i Delegacionit të BE-së në vend, David Gir, në ngjarjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme me trupin diplomatik të organizuar me rastin e katër vjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, transmeton Portalb.mk.
“Ne duam që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, mënyra është praktike dhe shumë lehtë e arritshme”, tha Gir në fjalimin e tij në këtë ngjarje.
Duke folur në këtë drejtim, ambasadori evropian Gir tha se ndan mendimin se rruga drejt Bashkimit Evropian është rrugë e prosperitetit, forcimit të vlerave demokratike, sundimit të ligjit, por edhe rrugë e stabilitetit.
“Është gjithashtu një rrugë e sigurisë dhe ne vërtet besojmë se anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian do të jetë i dobishëm për të gjithë ne. Dhe për këto arsye, ne inkurajojmë Maqedoninë e Veriut që të lëvizë sa më shpejt drejt Bashkimit Evropian. Ne duam që ky vend të jetë pjesë e Bashkimit Evropian bazuar në përmbushjen e angazhimeve që mori në korrik 2022 pas konferencës ndërqeveritare dhe procesit të skriningut, si dhe zbatimin e reformave të përcaktuara gjatë këtij procesi, përfshirë ato që janë të listuara në planin e ri të rritjes dhe reformës së Bashkimit Evropian”, tha Gir.
Lidhur me Aleancën Veriatlantike, ai theksoi se ajo mbetet bazë për mbrojtjen kolektive të aleatëve dhe është thelbësore për sigurinë euroatlantike.
NATO dhe Bashkimi Evropian, tha Gir, luajnë njëkohësisht një rol plotësues në forcimin dhe mbështetjen e paqes dhe sigurisë në Evropë.
“Dhe është me të vërtetë e njohur se një mbrojtje evropiane më e fortë dhe më e aftë mund të kontribuojë pozitivisht në sigurinë globale dhe transatlantike dhe është plotësuese dhe e ndërveprueshme me NATO-n”, tha kreu i Delegacionit të BE-së në vend.
Duke iu përmbajtur urimeve me rastin e katër vjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, Gir vlerësoi vendin, për siç tha ai, përputhshmërinë qind për qind të vazhdueshme me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, dhe në kontekstin e udhëheqjes së saj dhe shembullin që jep në lidhje me Ukrainën.