Ish kryeministri Lubço Georgievski në intervistë për Alsat tha se ka informacione se BDI-ja ishte lojtari kyç në projektin për kthimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski në Maqedoni. Sipas tij për këtë projekt ishin paraparë edhe ndryshimet në kodin penal, e që më vonë do të krijoheshin kushtet për ndryshimet kushtetuese. Por sipas Georgievskit, përpos faktit se shumë persona shpëtuan nga dënimi përmes ndryshimeve në kodin penal, ndryshimet kushtetuese dështuan.
“Kur filloi i gjithë ky diskutimi për gjyqësorin, mendim im ishte se në ndonjë nivel ndokund është bërë ndonjë pako mes LSDM-së e VMRO-së, BDI-së edhe me partnerët e tjerë të koalicionit. Po e përmend BDI-në sepse në të gjitha ato biseda që burojnë, del se BDI-ja ka qenë negociuesi kryesor në të gjithë këtë proces”, tha Lubço Georgievski, Ish Kryeministër.
Mendoni për Gruevskin?
“Po për Gruevskin”, u përgjigj Georgievski.
Keni ndonjë informatë se ndonjë anëtar i BDI-së ka komunikuar?
“Po shihni më shumë gjysmëinformata se sa informata. Duhet të ju them drejt, nëse e gjithë kjo do të jepte ndonjë rezultat, të bëheshin ndryshimet kushtetuese, të zhbllokohej rruga eurointegruese e Maqedonisë, mund edhe t’i kuptoja, por tash në fund kemi amnisti të madhe me ndryshimet në nenin 353 nga ana tjetër se kemi rezultatin e pritur, ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Georgievski.
Thatë se keni gjysmë-informata, kush nga BDI ka kontaktuar?
“Këtë nuk mund deri në fund ta them, por ka muhabete se ka pasur disa bisedime, por nuk ka ndonjë rezultat nga ato bisedime”, tha Lubço Georgievski, ish kryeministër. /Alsat.mk