Maqedonia e Veriut është shembull pozitiv në zbatimin e praktikave të avancuara të transparencës së bankës qendrore dhe gëzon një nivel të lartë besimi nga publiku, vlerëson zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li.
Në një intervistë për publikimin e Bankës Popullore “80 vjet bankë qendrore: Perspektiva globale, bashkëpunimi rajonal dhe sfidat e së ardhmes”, Li thekson rëndësinë e pavarësisë së bankave qendrore për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe përballimin e goditjeve ekonomike.
Sipas tij, pavarësia e bankës qendrore nuk nënkupton shkëputje nga institucionet demokratike, por autonomi për marrjen e vendimeve brenda mandatit ligjor, të bazuara në të dhëna, analiza profesionale dhe vlerësime ekspertësh.
Li veçon edhe përvojën e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se vendi është ndër të parët që ka zbatuar vlerësimin sipas Kodit të Transparencës së Bankave Qendrore të FMN-së. Ky vlerësim, sipas tij, ka treguar se Banka Popullore zbaton praktika të avancuara të transparencës dhe gëzon besim të lartë nga publiku.
Ai thekson se për ruajtjen e kredibilitetit institucional në periudha pasigurie janë të rëndësishme mandati i qartë, autonomia operacionale, konsistenca në vendimmarrje, bazat e forta ligjore, qeverisja e mirë, transparenca dhe llogaridhënia.
Në intervistë, Li foli edhe për rolin e FMN-së në forcimin e bankave qendrore përmes këshillave për politikat, ndihmës teknike, zhvillimit të kapaciteteve dhe kërkimit shkencor.
Intervista është pjesë e publikimit të përgatitur me rastin e 80-vjetorit të bankës qendrore në vend, i cili përfshin biseda me drejtues aktualë dhe ish-drejtues të bankave qendrore, si dhe përfaqësues të institucioneve financiare dhe organizatave ndërkombëtare.






