Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nesër do të vizitojë Stambollin me ftesë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Gjatë takimit pritet të diskutohen hapat për thellimin e bashkëpunimit dypalësh mes Turqisë dhe Ukrainës, raportojnë mediat turke.
Në agjendën e bisedimeve do të jenë lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, situata e sigurisë në Detin e Zi, si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.
Vizita zhvillohet në një kohë kur Turqia po vazhdon përpjekjet për rikthimin e negociatave diplomatike mes Rusisë dhe Ukrainës.
Pas takimit me Erdoganin më 23 shtator në Nju-Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Zelensky kishte deklaruar se Ukraina është e hapur që Turqia të jetë nikoqire e një samiti mes presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës. Ai kishte theksuar se Kievi është i gatshëm të marrë pjesë në një takim të tillë nëse organizohet në Turqi.
Ndërkaq, më 28 tetor, Erdogan i kishte përsëritur presidentit amerikan Donald Trump, gjatë një bisede telefonike, se Turqia është e gatshme të kontribuojë në rifillimin e negociatave diplomatike dhe përfundimin e luftës.
Një nga temat kryesore të takimit do të jetë edhe siguria në Detin e Zi. Në agjendën e Ankarasë janë pasojat e luftës për tregtinë detare dhe sulmet ndaj anijeve tregtare.
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, Erdogan i kishte cilësuar të papranueshme sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi dhe u kishte bërë thirrje të gjitha palëve që t’i ndërpresin ato.








