Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në marshin e organizuar në Prilep me rastin e 11 Tetorit – Ditës së Kryengritjes Popullore, deklaroi se detyra historike e gjeneratës së sotme është të krijojë kushte që të rinjtë të mos largohen nga vendi.
Nën sloganin “Mosnënshtrim. Luftë. E ardhme – 85 vjet antifashizëm”, Filipçe kujtoi luftën e paraardhësve kundër fashizmit, duke theksuar se më 11 tetor të vitit 1941, ata u ngritën në kryengritje pa garanci për fitore, por me guxim dhe besim të fortë në liri.
“Para 85 vitesh, paraardhësit tanë luftuan që të kishim shtetin tonë. Gjenerata jonë duhet të luftojë që fëmijët të qëndrojnë të jetojnë këtu, në atdheun e tyre. Dhe kjo është detyra jonë historike”, deklaroi Filipçe.
Ai theksoi se Lufta Nacionalçlirimtare dhe fitorja mbi fashizmin vendosën themelet e shtetit bashkëkohor maqedonas, ndërsa ASNOM-i institucionalizoi shtetësinë maqedonase. Sipas tij, si lufta antifashiste, ashtu edhe pavarësia e vitit 1991, kanë vendin e tyre të rëndësishëm në historinë e vendit.
Filipçe tha se respekti për luftëtarët e rënë nuk duhet të kufizohet vetëm në ceremonitë përkujtimore, por duhet të shndërrohet në përgjegjësi për zhvillimin e shtetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Ai kritikoi pushtetin aktual, duke e akuzuar për korrupsion, kriminalitet dhe izolim të vendit. Sipas tij, lufta e sotme duhet të zhvillohet përmes mjeteve demokratike, me synimin për të rikthyer drejtësinë dhe për ta vënë shtetin në shërbim të qytetarëve.
Kreu i LSDM-së theksoi se lufta për Maqedoninë sot nënkupton edhe luftë kundër korrupsionit, për dinjitet, siguri dhe jetë më të mirë për punëtorët, bujqit, mësimdhënësit, mjekët, të rinjtë dhe pensionistët.
Ai përfundoi se patriotizmi matet me mënyrën se si jetojnë qytetarët sot dhe me të ardhmen që u lihet brezave të ardhshëm.








