Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka vlerësuar rolin e ish-presidentit të parë të Maqedonisë së pavarur, Kiro Gligorov, në procesin e pavarësimit të vendit dhe ruajtjen e paqes gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.
Duke folur në ceremoninë e organizuar nga LSDM-ja me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë, Filipçe tha se Gligorov ka merita të rëndësishme historike për faktin që Maqedonia e fitoi pavarësinë pa luftë dhe pa viktima në territorin e saj.
Sipas tij, roli i Gligorovit, veçanërisht gjatë një periudhe të vështirë për rajonin, meriton të vlerësohet për kontributin në ruajtjen e stabilitetit dhe në procesin e krijimit të shtetit të pavarur.
“Para 35 vitesh e fituam shtetin në mënyrë paqësore, pa viktima dhe pa shkatërrime, për të cilën presidenti ynë Kiro Gligorov ka merita historike”, deklaroi Filipçe.
Ai theksoi se Gligorov i përkiste gjeneratës së politikanëve që morën pjesë në krijimin e bazave të shtetësisë moderne maqedonase dhe më pas udhëhoqi vendin gjatë procesit të pavarësimit.
“Te një person u bashkuan dy epoka maqedonase – gjenerata që ndërtoi shtetësinë maqedonase në kuadër të federatës dhe gjenerata që duhej ta udhëhiqte Maqedoninë drejt pavarësisë dhe ta prezantonte atë në botë si shtet të pavarur”, tha Filipçe.
Sipas tij, rëndësia e Gligorovit lidhet veçanërisht me faktin se Maqedonia arriti të shmangte konfliktin e armatosur që përfshiu pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë.
Filipçe tha se ruajtja e paqes ishte një nga arritjet më të rëndësishme të periudhës së pavarësimit, pasi konfliktet në rajon sollën viktima, shkatërrime dhe pasoja të rënda sociale e ekonomike.
Ai u shpreh gjithashtu se në qasjen politike të Gligorovit prioritet kishte ruajtja e jetës së njerëzve dhe stabiliteti i shtetit.
“Një jetë njerëzore vlen më shumë se e gjithë ajo armatim që përdori dhe kishte në dispozicion JNA-ja. Mjaftonte vetëm një incident që ai armatim të përdorej edhe në Maqedoni. Kjo ishte pjesë e qasjes së Gligorovit për ruajtjen e shtetit. Shteti ekziston për t’i mbrojtur njerëzit”, tha Filipçe.
Duke folur për procesin e njohjes ndërkombëtare dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, Filipçe vlerësoi se Gligorov ishte i gatshëm të merrte vendime të vështira kur e konsideronte se ato ishin në interes të shtetit.
Në fund, kryetari i LSDM-së theksoi se roli i Gligorovit në historinë e vendit vazhdon të vlerësohet dhe se trashëgimia e tij politike mbetet e lidhur me periudhën e pavarësimit të Maqedonisë.
“Me kalimin e kohës, rëndësia historike e Kiro Gligorovit si presidenti i parë i Maqedonisë së pavarur bëhet gjithnjë e më e qartë. Meritat e tij për procesin e pavarësimit dhe ruajtjen e paqes mbeten pjesë e historisë së vendit”, përfundoi Filipçe.






