Autoritetet e Kosovës kanë shprehur mirënjohje ndaj institucioneve të Maqedonisë së Veriut për reagimin e shpejtë dhe angazhimin e një helikopteri për shuarjen e zjarrit në fshatin Krivenik të Hanit të Elezit, përgjatë brezit kufitar.
Sipas Ambasadës së Kosovës, ndërhyrja ajrore u realizua pas kërkesës së autoriteteve lokale dhe qendrore të Kosovës. Mbështetja nga Maqedonia e Veriut, siç theksohet, u vu në dispozicion në kohë të shkurtër dhe pati ndikim të menjëhershëm në përballimin e situatës.
Ambasada veçanërisht ka vlerësuar angazhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, si dhe të drejtorit të Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, për reagimin dhe koordinimin e shpejtë.
“Falënderojmë autoritetet relevante të Maqedonisë së Veriut për reagimin emergjent me helikopter në shuarjen e zjarreve në fshatin Krivenik të Hanit të Elezit, përgjatë brezit kufitar”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës.
Ndërhyrja e përbashkët vlerësohet si një shembull i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rajonal në përballimin e situatave emergjente përgjatë zonës kufitare.






