Ferati: Ministrinë e gjeta pa organizim, me mungesë pajisjesh dhe pabarazi në ndarjen e granteve

Advertisement

Ministri i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, ka prezantuar gjendjen që, sipas tij, e ka gjetur në ministri pas marrjes së detyrës, duke paralajmëruar reforma të thella në funksionimin e institucionit dhe një qasje të re në menaxhimin e resurseve dhe shpërndarjen e granteve.

Në një brifing me gazetarët, Ferati deklaroi se ministria është përballur me mungesë të planifikimit strategjik, organizim joefikas dhe kushte të pamjaftueshme pune. Ai tha se rreth 30 për qind e të punësuarve nuk kanë pasur pajisjet bazë për kryerjen e detyrave, si kompjuterë, tavolina apo hapësira të përshtatshme pune.

Sipas ministrit, administrata nuk ka funksionuar në mënyrë efikase, ndërsa vendimmarrja, siç u shpreh ai, në disa raste është ndikuar më shumë nga kabinetet politike sesa nga strukturat institucionale.

Ferati bëri të ditur se tashmë ka nisur procesi i riorganizimit të ministrisë, përmes takimeve me drejtuesit e sektorëve dhe ekspertët, me synim rritjen e efikasitetit dhe forcimin e bashkëpunimit të brendshëm.

Ai theksoi se një nga sfidat kryesore është mungesa e dokumenteve strategjike, duke shtuar se që nga themelimi i ministrisë janë hartuar vetëm dy dokumente të tilla.

Në kuadër të reformave, ministri paralajmëroi themelimin e dy departamenteve të reja: Departamentit për Partneritete Strategjike, i cili do të fokusohet në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shfrytëzimin e fondeve evropiane, si dhe Departamentit për Analiza dhe Hulumtime.

Ferati u ndal edhe te mënyra e shpërndarjes së granteve në të kaluarën, duke deklaruar se ka pasur pabarazi. Sipas tij, nga 36 grantet e ndara, 29 janë dhënë për shoqata dhe organizata të komunitetit serb, ndërsa një prej tyre ka qenë në vlerë prej 500 mijë denarësh.

Ai theksoi se fondet publike duhet të shpërndahen në mënyrë më të drejtë dhe transparente, duke paralajmëruar se kjo do të jetë një nga prioritetet kryesore të ministrisë gjatë vitit të ardhshëm.

Ministri kërkoi gjithashtu bashkëpunim më të ngushtë me mediat, duke vlerësuar se ato kanë rol të rëndësishëm në promovimin e kohezionit shoqëror dhe uljen e tensioneve mes komuniteteve. Ai shtoi se një qasje më e balancuar në investimet publike dhe mbështetjen institucionale mund të ndikojë në forcimin e besimit dhe bashkëjetesës në vend./Ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit