Ministri Agon Ferati zhvilloi takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sh.T. Matthew Lawson ku u diskutua për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe avancimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua çështjeve të sigurisë në vend dhe në rajon, duke pasur parasysh rëndësinë e stabilitetit dhe kohezionit shoqëror për perspektivën evropiane të rajonit. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe shkëmbim të përvojave me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim forcimin e institucioneve, marrëdhënieve ndëretnike dhe kontributit në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Ministri Ferati dhe ambasadori Lawson diskutuan edhe për programin britanik G2G, me fokus të veçantë në përfshirjen e të rinjve dhe zhvillimin e aftësive të tyre. U vlerësua rëndësia e krijimit të mundësive për të rinjtë përmes programeve që zhvillojnë aftësitë për sipërmarrësi, komunikim dhe lidership, duke i përgatitur ata për një rol më aktiv në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.






