Shkolla shqipe në Hamburg, misioni për ruajtjen e gjuhës amtare në diasporë

Advertisement

Në një kohë kur fëmijët për shkak të teknologjisë e kanë më të lehtë të flasin në anglisht, apo në gjuhën e vendeve ku jetojnë, në Hamburg mësues vullnetarë kanë nisur prej vitesh mësimet për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë në mënyrë që ata të mos e harrojnë gjuhën e tyre amtare.

Njëra prej mësueseve vullnetare atje është edhe Suzana Rasimi, që u jep mësim 56 nxënësve nga të gjitha trevat shqiptare. Ajo ishte në Shkup këtë javë bashkë me nxënësit e saj, si pjesë e vizitës nëpër vendet historike shqiptare. Për TVM 2 ajo shpjegon se sa shqetësuese është mundësia e humbjes së gjuhës amtare te gjeneratat e reja. Gjithsesi, në Hamburg gjuha shqipe është e pranuar edhe si gjuhë e dytë apo e tretë në shkolla për shkak të numrit të madh të mërgimtarëve shqiptarë atje.

“Në Hamburg jemi një grup arsimtarësh që nga viti 2020 jemi mbledhur dhe ia kemi dalë që shqipja në institucionet shkollore të merr pozitën e vet për fëmijët me prejardhje shqiptare. 2-3 vitet e fundit gjuha shqipe është pranuar në të gjitha shkollat e Hamburgut si gjuhë e prejardhjes dhe prej viti të kaluar është edhe gjuhë e dytë apo e tretë në shkolla.”, u shpreh për TVM 2 mësuesja e gjuhës shqipe në Hamburg-Gjermani, Suzana Rasimi.

Agjencia e Mërgatës në RVM ka nisur programin falas online të mësimit të gjuhës shqipe dy herë në javë për fëmijët nga 6 deri 15 vjeç. Zëvendës drejtori i saj, Fatlum Jusufi, thotë se sivjet ka një rritje të numrit të nxënësve që kyçen në këtë aplikacion.

“Aktualisht kemi mbi 30 edhe pse vitin e kaluar kishim numër shumë më të ulët. Sivjet e kemi avancuar dhe kemi arritur këtë numër të mire. Ne jemi angazhuar në bashkëpunim me prindërit dhe organizatat në diasporë që t’i detyrojnë fëmijët të mësojnë gjuhën e tyre dhe ftojmë të gjithë prindërit e diasporës të kyçin fëmijët e tyre për mësimin online të gjuhës shqipe.”, u shpreh për TVM 2 zëvendës drejtor i agjencisë për mërgatën, Fatlum Jusufi.

Fëmijët shqiptarë nga Hamburgu që ne i intervistuam gjatë vizitës së tyre në shtëpinë e Nënë Terezës në Shkup, thonë se me shumë dashuri e ruajnë gjuhën e tyre dhe me shumë dëshirë e vizitojnë vendlindjen.

“Me nënën flas më shumë shqip, me gjithë të tjerët gjermanisht.”, u shpreh njëri nga fëmijët për TVM2

“Në shtëpi flasim më shumë shqip sesa gjermanisht. Ashtu duhet të flasim sepse jemi shqiptarë.”, u shpreh një fëmijë. përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit