Një 20-vjeçar nga Reçica e Madhe e Tetovës është nën hetim pas një operacioni të përbashkët të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) të SHBA-së, për aktivitete të dyshuara kriminale në internet.
Sipas MPB-së, ndaj E.A. (20) është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Tetovës për mashtrim kompjuterik, keqpërdorim të të dhënave personale dhe prodhim e shpërndarje të materialeve pornografike me fëmijë.
Hetimet, të nisura pas informacioneve të siguruara nga FBI-ja, kanë zbuluar se i dyshuari, gjatë periudhës 2023–2025, dyshohet se administronte platformën ilegale “OLVX”, ku tregtoheshin të dhëna personale të vjedhura dhe mjete për kryerjen e krimeve kibernetike.
Në këtë platformë ishin ofruar mbi 1.500 kredenciale të vjedhura për qasje në llogari përdoruesish dhe rrjete kompjuterike.
Hetuesit kanë konstatuar gjithashtu se gjatë viteve 2025–2026, i dyshuari administronte grupin ilegal “ONEMILI” në Telegram, përmes të cilit ofroheshin mjete dhe shërbime për mashtrime kompjuterike, përfshirë kthime të paligjshme të parave.
Sipas policisë, janë siguruar edhe prova që tregojnë se 20-vjeçari dyshohet se kishte siguruar dhe poseduar përmes Telegramit materiale që përmbanin abuzim seksual të fëmijëve.
MPB-ja thekson se ky është operacioni i parë i koordinuar kibernetik ndërmjet MPB-së dhe FBI-së, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërkombëtar si vendimtar në luftën kundër krimit kompjuterik.








