Mungesa e kuadrove mjekësore dhe mbipopullimi në burgun e Idrizovës bën që personat e privuar nga liria të mos kenë kushte të duhura për mbrojtje shëndetësore. Personat e privuar momentalisht rrezikohen më së shumti nga gripi stinor dhe vaksinimi kundër gripit stinor nuk realizohet fare në burgje.
“Deri te Avokati i Popullit nuk kanë arritur parashtresa nga të burgosurit të cilët ankohen për moszbatimin e procesit të vaksinimit në burgje, por sipas hulumtimit të fundit të realizuar nga institucioni në të gjitha burgjet e shtetit, është konstatuar se në asnjë burg nuk kryhet vaksinim i rregullt, si për mbrojtje nga transmetimi i sëmundjeve infektive, ashtu edhe nga gripi sezonal”, tha Avokati i Popullit.
Këtë vit janë parashtruar 38 ankesa nga familjarët e personave të privuar nga liria të cilët ankohen se nuk kanë marrë ndihmë mjekësore.
“Ministria e Shëndetësisë të përcaktojë një paketë minimale të aktiviteteve parandaluese për personat të cilëve u është privuar liria: vlerësimin e rrezikut dhe skriningun gjatë pranimit, vaksinimin në përputhje me statusin e vaksinimit dhe rrezikun, kontrollet periodike parandaluese sipas moshës dhe profilit shëndetësor, si dhe ndjekjen e rregullt të personave me sëmundje kronike”, shtoi Avokati i Popullit.
Sipas raportit të fundit të Avokatit të Popullit në burgun e Idrizovës, një mjek i vetëm kujdeset për 691 persona kurse për 461 persona të burgosur kujdeset vetëm një infermier. Shqetësuese mbetet edhe mungesa e kujdesit për të burgosurit me sëmundje kronike si diabet, tension apo astmë dhe persona që vuajn nga probleme të shëndetit mendor.








