Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan sot bëri thirrje për heqjen e kufizimeve për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet aleatëve të NATO-s, njoftoi Anadolia.
“Kufizimet ndërmjet aleatëve lidhur me bashkëpunimin në mbrojtje, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, duhet të hiqen”, tha Erdogani në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive, në kryeqytetin turk Ankara.
Erdogani theksoi se, edhe pse aleatët evropianë po marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit, ata duhet të shmangin politikat që mund të dobësojnë unitetin e NATO-s ose lidhjet transatlantike.
“Përderisa aleatët evropianë po marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit, ne duhet të përmbahemi nga masat që mund të dëmtojnë kohezionin e Aleancës dhe marrëdhëniet transatlantike”, tha ai.
Duke theksuar sektorin në rritje të mbrojtjes në Turqi, Erdogani tha se arritja më e madhe e vendit në vitet e fundit është përparimi i madh i bërë në industrinë e mbrojtjes.
“Pa dyshim, suksesi më i madh i vendit tonë qëndron në përparimin që kemi arritur në industrinë e mbrojtjes”, tha ai, duke shtuar se Turqia është bërë një nga 10 vendet më të mira në botë sa i përket prodhimit të mbrojtjes dhe kapacitetit eksportues.
Turqia do t’i rrisë shpenzimet për mbrojtje në nivelin prej 3,5 për qind para vitit 2030, shtoi Erdogan, duke konfirmuar njëkohësisht përkushtimin e Ankarasë për forcimin e kontributit të saj në NATO përmes rritjes së shpenzimeve për mbrojtje.
“Turqia ka ndërmarrë masa për të rritur raportin e shpenzimeve tona për mbrojtjen në 3,5 për qind para vitit 2030”, tha ai.
Duke theksuar rolin e Turqisë brenda NATO-s, Erdogani tha se vendi, i cili ka ushtrinë më të madhe tokësore në Evropë, mbetet i gatshëm t’i vërë kapacitetet e veta ushtarake në dispozicion të Aleancës sa herë që të jetë e nevojshme.
Ai theksoi se Turqia është ndër kontribuuesit kryesorë në operacionet, misionet dhe stërvitjet e NATO-s në Kosovë, Detin e Zi, rajonin Baltik dhe zona të tjera.
Erdogani gjithashtu tha se Turqia shpreson të sigurojë akreditimin nga NATO për Qendrën e saj të planifikuar të Ekselencës për luftën kundër sistemeve pa pilot, duke theksuar përvojën e vendit në përdorimin me sukses të dronëve në fusha reale të betejës.





